Arrestimi i dy “ushtarëve” të Ervis Martinajt, Elvin Mërlika dhe Alket Xhixha që u arrestuan në zonën e Fushës Kuqes, nuk ka qenë i lehtë për policinë.
Policia sqaron se arrestimi i tyre është bërë në një terren tepër të vështirë. Mërlika dhe Xhixha ishin fshehur në një vilë, që siç shihet edhe në këto pamje ka qenë në një zonë jo të banuar, por pranë një lumi.
Pamjet tregojnë edhe një skaf të vendosur në mes të pyllit, të cilët dy personat e mbanin pranë banesës së tyre.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
Për të dy personat GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
