![]()
Nga 1 janari paga minimale shkon në 50 mijë lekë, ndërsa buxheti parashikon rritje ekonomike 4 % dhe investime publike 1.8 miliardë euro
Kuvendi miratoi pas mesnatës, pas një seance maratonë, buxhetin e shtetit për vitin 2026 me 81 vota pro. Fondi total i miratuar arrin në 886.7 miliardë lekë, ose rreth 8.8 miliardë euro, të cilat do të jenë në dispozicion të institucioneve publike për t’u shpenzuar gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas projektbuxhetit, të ardhurat pritet të arrijnë në 8.2 miliardë euro, nga 7.7 miliardë euro që janë aktualisht, një rritje që qeveria e lidh me zhvillimin ekonomik, ecurinë e turizmit dhe përmirësimin e administrimit fiskal. Ndërkohë, borxhi publik parashikohet të shkojë në 14.9 miliardë euro në vitin 2026, nga 14.2 miliardë euro të planifikuara për vitin aktual.
Buxheti mbështetet në një projeksion të rritjes ekonomike prej 4 %, me sektorët kryesorë mbështetës që mbeten turizmi dhe ndërtimi. Një nga masat më të rëndësishme sociale është rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026. Po ashtu, është parashikuar indeksimi i pagave të administratës publike me 2.5 %.
Në fokus të veçantë mbetet edhe mbështetja për pensionistët. Për vitin e ardhshëm parashikohet zbatimi i një formule të re për rritjen e pensioneve, përmes bonuseve mujore. Fondi i dedikuar për këto bonuse arrin në 100 milionë euro, ndërsa për indeksimin e pensioneve janë planifikuar 16.5 milionë euro.
Investimet publike për vitin 2026 pritet të arrijnë në rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro që ishin planifikuar për këtë vit, duke reflektuar një zgjerim të angazhimit të shtetit në projekte infrastrukturore dhe zhvillimore. Në sektorin e shëndetësisë, buxheti parashikon 13.5 miliardë lekë për kompensimin e medikamenteve dhe 1.5 miliardë lekë për barnat onkologjike.
Miratimi i buxhetit për vitin 2026 shënon një nga aktet më të rëndësishme financiare të vitit, me masa që prekin drejtpërdrejt pagat, pensionet, investimet publike dhe nivelin e borxhit, në një moment kur presioni mbi koston e jetesës mbetet i lartë.
