
Hetimet për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik 33 milionë lekë lidhen me tendera gjatë drejtimit të Bashkisë së Kavajës
Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku pritet t’i komunikohet zgjatja e hetimeve për një çështje në të cilën ai është marrë zyrtarisht i pandehur. Kjo shënon herën e tretë që Roshi paraqitet në ambientet e SPAK.
Sipas informacioneve, Roshi po hetohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pas një kallëzimi të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kallëzimi lidhet me parregullsi të konstatuara në procedurat e tenderimit gjatë periudhës kur ai drejtonte Bashkinë e Kavajës.
Hetimet përqendrohen në tendera që kanë të bëjnë me rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve, ku sipas KLSH dyshohet për një dëm ekonomik në vlerën rreth 33 milionë lekë. SPAK po verifikon përgjegjësitë penale dhe mënyrën e menaxhimit të fondeve publike në këto procedura.
I shoqëruar nga avokati i tij, Elvis Roshi nuk ka dhënë deklarata për mediat në hyrje të institucionit, ndërsa pritet që Prokuroria e Posaçme të vendosë mbi hapat e mëtejshëm të hetimit.
