
Gjykata do të vendosë nëse dosja e SPAK për Veliajn dhe Ajola Xoxën kalon ose jo për gjykim
Ka nisur këtë të premte seanca në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai është i pranishëm personalisht në sallën e gjyqit, ndërsa GJKKO pritet të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim ose jo.
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar dosjen për gjykim ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxës dhe disa të pandehurve të tjerë. Bëhet fjalë për një nga dosjet më të rënda të viteve të fundit që përfshin një funksionar të lartë publik.
Sipas SPAK, ndaj kryebashkiakut rëndojnë 13 akuza të lidhura me pesë vepra të rënda penale, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë ushtrimit të funksionit të tij. Ndërkohë, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, përballet me 12 akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe fshehjen e pasurisë.
Seanca e sotme është vendimtare, pasi do të përcaktojë nëse dosja do të kalojë në fazën e gjykimit të plotë, duke hapur zyrtarisht procesin penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
