
Gruaja po ecte pas një aktiviteti fetar kur një i panjohur i hodhi një lëng gërryes mbi kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda dhe tronditur komunitetin lokal
Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në qytetin Savannah të shtetit amerikan të Xhorxhias, ku një grua 46-vjeçare ka pësuar djegie serioze pasi u sulmua me acid nga një person i panjohur, teksa po ecte e vetme në një park publik gjatë orëve të mbrëmjes.
Viktima, Ashley Wasielewski, kishte marrë pjesë pak më herët në një program festiv të organizuar nga një kishë lokale dhe rreth orës 20:16 po kalonte nëpër Forsyth Park, kur u përball papritur me agresorin. Sipas familjarëve dhe miqve të saj, sulmuesi i hodhi mbi kokë një substancë kimike shumë të fortë, duke i shkaktuar dhimbje të menjëhershme dhe panik.
Lëngu gërryes përshkoi rrobat e saj dhe i dogji rëndë lëkurën, ndërsa dëmi ishte aq i madh sa edhe çelësi elektronik i makinës që ndodhej në xhepin e saj u shkrinë nga veprimi i acidit. Në momentet e para, Ashley mendoi se mbi të ishte hedhur ujë, por shumë shpejt ndjeu djegien e fortë dhe pa se rrobat po shkatërroheshin mbi trupin e saj.
Dëshmitarët tregojnë se sulmi nuk kishte motiv grabitjeje, pasi autori nuk mori asgjë dhe u largua menjëherë nga vendngjarja, duke e lënë gruan të bërtiste nga dhimbja dhe shoku. Ndihma mjekësore mbërriti pak minuta më vonë dhe ajo u transportua me urgjencë në spital.
Ashley ndodhet aktualisht nën kujdes intensiv mjekësor, ndërsa mjekët flasin për dëmtime të rënda që mund të kenë pasoja afatgjata. Ndërkohë, policia ka nisur një hetim të gjerë dhe po kërkon ndihmën e publikut për çdo informacion që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorit të këtij sulmi brutal, i cili ka shkaktuar frikë dhe indinjatë në komunitetin lokal.
