
Sulmuesi egjiptian qëndroi më gjatë në fushë pas fitores ndaj Brightonit, duke përshëndetur tifozët mes zërave për tensione dhe një largim të mundshëm në janar
Liverpooli u rikthye te fitorja në Premier Ligë, duke mposhtur Brightonin me rezultatin 2-0 në “Anfield Road”, por vëmendja pas ndeshjes u përqendrua te Mohamed Salah dhe një gjest që ka nxitur spekulime të forta për të ardhmen e tij në klub.
Sulmuesi egjiptian e nisi takimin nga stoli, por u hodh në fushë që në minutën e 26, pas dëmtimit të Joe Gomez. Prania e tij u ndje menjëherë, pasi Salah kontribuoi në golin e dytë të Liverpoolit, duke asistuar për Hugo Ekitike nga një goditje këndi.
Në përfundim të ndeshjes, Salah qëndroi në fushë më gjatë se bashkëlojtarët, duke përjetuar duartrokitjet e gjata dhe entuziazmin e tifozëve në tribunat e Anfield-it. Ky moment, i interpretuar nga shumëkush si një përshëndetje e veçantë, ka ushqyer zërat se kjo mund të ketë qenë një nga paraqitjet e fundit të tij me fanellën e Liverpoolit.
Sipas raportimeve të mediave britanike, situata e Salah në klub është shoqëruar me tensione, si me trajnerin Arne Slot, ashtu edhe me drejtuesit e Liverpoolit. Këtyre zhvillimeve u shtohet edhe fakti se lojtari pritet të grumbullohet me kombëtaren e Egjiptit për Kupën e Afrikës, ndërsa merkatoja e janarit shihet si një moment kyç për të ardhmen e tij.
Megjithëse nga klubi nuk ka ende një qëndrim zyrtar, gjesti i Salah në Anfield ka mjaftuar për të ndezur dyshime dhe për të hapur një debat të gjerë mes tifozëve dhe analistëve mbi një kapitull që mund të jetë drejt mbylljes.
