
Sulm i armatosur në një nga godinat akademike pranë Bostonit, autoritetet vendosin zonën në izolim ndërsa kërkimet për autorin vazhdojnë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara pas një sulmi me armë zjarri në Universitetin Brown, ku dy persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë mbetën të plagosur, tetë prej tyre në gjendje kritike. Incidenti ndodhi pasdite në godinën Barus and Holley, e cila strehon departamentet e inxhinierisë dhe fizikës.
Sipas informacioneve paraprake, autori hapi zjarr brenda ambienteve universitare duke shkaktuar panik dhe kaos mes studentëve dhe stafit akademik. Përveç viktimave në gjendje kritike, një person tjetër u plagos nga copëza plumbash.
Autoritetet lokale dhe forcat federale të sigurisë reaguan menjëherë, duke rrethuar zonën dhe duke u bërë thirrje qytetarëve dhe komunitetit universitar të qëndrojnë në izolim. Në momentet e para pas sulmit, autori ishte ende në arrati, ndërsa operacioni për kapjen e tij vijon.
Universiteti Brown, një nga institucionet më prestigjioze në SHBA, anuloi aktivitetet akademike dhe mbylli përkohësisht kampusin. Hetimet janë në zhvillim për të zbardhur motivet e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
