
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dënon sulmin ndaj bazës paqeruajtëse, Bangladeshi reagon ndërsa akuzat mes palëve në konflikt thellohen
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se sulmi me dron ndaj një baze të OKB-së në Sudan, ku u vranë gjashtë paqeruajtës dhe u plagosën tetë të tjerë, mund të përbëjë krim lufte sipas së drejtës ndërkombëtare. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në qytetin Kadugli, në rajonin qendror të Kordofanit.
Viktimat ishin të gjithë shtetas të Bangladeshit dhe shërbenin si pjesë e Forcës së Përkohshme të Sigurisë së OKB-së për Abyei. Guterres e cilësoi sulmin si të pajustifikueshëm dhe theksoi se personeli i Kombeve të Bashkuara gëzon mbrojtje të posaçme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Qeveria sudaneze dhe ushtria fajësuan Forcat e Mbështetjes së Shpejtë për sulmin, ndërsa shefi i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah Burhan, e quajti ngjarjen një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit. Nga ana tjetër, RSF i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Reagim erdhi edhe nga Bangladeshi, ku kreu i qeverisë së përkohshme, Muhammad Yunus, shprehu dhimbje të thellë për humbjen e jetëve dhe deklaroi se shteti do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave. Ai i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të ofrojnë të gjithë mbështetjen e mundshme për personelin bangladeshas të prekur nga sulmi.
Sudani ndodhet në luftë civile që prej prillit të vitit 2023, mes ushtrisë dhe milicive të RSF, konflikt që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, ka zhvendosur miliona njerëz dhe ka sjellë uri në disa rajone të vendit. Kriza konsiderohet si një nga katastrofat humanitare më të rënda në botë, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës deri tani nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
