
Një operacion i madh i policisë dhe prokurorisë së Elbasanit është zhvilluar pas mesnatës së 8 shtatorit, duke çuar në ekzekutimin e 30 masave sigurie nga gjithsej 39 të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan.
Hetimet kishin nisur prej më shumë se një viti, me përgjime, ndjekje dhe infiltrim të punonjësve të policisë, të cilët arritën të blinin drogë nga disa prej të dyshuarve për të dokumentuar aktivitetin e tyre. Rezultatet e operacionit zbuluan se të akuzuarit vepronin si në grupe të vogla, ashtu edhe individualisht, duke shpërndarë lëndë narkotike në shkolla, lokale dhe ambiente të tjera publike.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar tre armë automatike kallashnikovë, pistoleta dhe sasi të konsiderueshme drogërash të ndryshme.
Aksioni është shtrirë në disa qytete të qarkut, përfshirë Elbasanin, Prrenjasin, Librazhdin, Gramshin, Peqinin, Cërrikun dhe Belshin, duke goditur një rrjet të gjerë të përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Operacioni, i konsideruar ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit në këtë zonë, pritet të pasohet nga masa të tjera, ndërsa hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë vijojnë.