Policia ka dhënë detaje në lidhje me masakrën e ndodhur në Bondi Beach, ku mësohet se dy autorët janë babë e bir.
Mësohet se një nga autorët, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje është një 50-vjeçar dhe u qëllua nga oficerët policorë. 50-vjeçari ishte mbajtës i armëve të zjarrit me leje dhe kishte gjashtë armë zjarri të lidhura me të.
Autori tjetër, një 24-vjeçar, pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua në spital nën mbikëqyrjen e policisë.
Ndërkohë një person i tretë i dyshuar për ngjarjen është në kërkim.
Autori i dytë i sulmit terrorist vdekjeprurës që ndodhi gjatë festimeve të Hanukkah në Sydney të Australisë, është identifikuar si Khaled al-Nablusi . Sipas informacioneve, ai është një shtetas libanez me origjinë palestineze, gjë që rrit shqetësimet e autoriteteve në lidhje me dimensionin ndërkombëtar të sulmit. Al-Nablusi thuhet se i është zotuar besnikëri Shtetit Islamik.
Sulmi i përgjakshëm në zonën e Bondi Beach e shndërroi një ngjarje fetare dhe komunitare në një skenë dhune masive, duke shkaktuar tronditje në shoqërinë australiane.
Zbulimi se një nga autorët e krimit ishte një i huaj me lidhje të dyshuara me një organizatë terroriste të njohur ndërkombëtarisht ngre pyetje serioze në lidhje me procedurat e kontrollit të sigurisë dhe politikën e imigracionit të Australisë.
Incidenti tragjik nxjerr në pah, sipas analistëve, nevojën për kontrolle më të rrepta dhe reagim më të shpejtë ndaj shenjave të radikalizimit dhe ekstremizmit.
Kryeministri australian Anthony Albanese e përshkroi sulmin si një “të synuar kundër australianëve hebrenj”, duke vënë në dukje se provat që lidhin autorët e krimit me ISIS-in konfirmojnë natyrën terroriste dhe ideologjike të aktit
