
Operacioni Storm në zonën e Vollgës zbulon aktivitet të organizuar, procedohen penalisht edhe gjashtë shtetas shqiptarë
Një apartament i marrë me qira në zonën e Vollgës në Durrës ishte shndërruar në një qendër të mirëfilltë prostitucioni, ku dy shtetase kolumbiane ushtronin aktivitetin e paligjshëm. Policia e Durrësit ka finalizuar fazën e 12-të të operacionit të koduar Storm, duke arrestuar në flagrancë dy gratë dhe duke proceduar penalisht gjashtë shtetas shqiptarë.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuara janë shtetaset J. C., 23 vjeçe dhe M. A., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Kolumbi. Ato kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 1, në rrugën Taulantia, në zonën e njohur si Vollga, të cilin e përdornin për ushtrimin e prostitucionit.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një hetimi disajavor të ndjekur me metoda speciale. Përveç dy shtetaseve të huaja, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe gjashtë shtetas shqiptarë nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, të dyshuar për përfshirje në aktivitetin e prostitucionit.
Gjatë kontrollit në ambientet e apartamentit dhe verifikimeve të mëtejshme, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe dhjetë formularë dërgesash monetare me vlerë totale 15 093 euro. Këto shuma dyshohet se janë transferuar familjarëve në Kolumbi brenda një periudhe 20-ditore.
Policia bën me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
