
Nick Reiner merret në pyetje nga policia, pas një historie të gjatë me varësi nga droga dhe probleme të rënda personale
Hetimet për vrasjen tronditëse të regjisorit legjendar të Hollywoodit Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij Michele Singer Reiner janë përqendruar gjithnjë e më shumë te djali i tyre, Nick Reiner, i cili po merret në pyetje nga policia si person me interes në çështje.
Nick Reiner, 32 vjeç, njihet prej vitesh për betejën e tij me varësinë nga droga. Vetë ai ka folur publikisht në të kaluarën për një histori të gjatë rehabilitimesh, duke pranuar se herën e parë kishte hyrë në qendër trajtimi që në moshën 15-vjeçare. Ai ka treguar gjithashtu se varësia e kishte çuar deri në jetesë në rrugë dhe periudha të gjata pa strehë.
Sipas burimeve policore, autoritetet po e marrin në pyetje Nick Reiner në kuadër të hetimeve për vrasjen e dyfishtë, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë arrestim dhe nuk është shpallur zyrtarisht asnjë i dyshuar. Hetuesit kanë konfirmuar se në banesë nuk ka pasur shenja hyrjeje me forcë, çka ka forcuar dyshimet se autori mund të ketë qenë një person i njohur për familjen.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se Nick ka pasur kontakte të kufizuara me publikun vitet e fundit dhe është parë rrallë në evente, pas deklaratave të tij për problemet e shëndetit mendor dhe varësisë. Ai ka bashkëpunuar edhe në projekte artistike me të atin, përfshirë skenarin e filmit Being Charlie, i frymëzuar nga jeta e tij personale dhe përpjekjet për t’u larguar nga droga.
Policia e Los Angeles ka deklaruar se intervistimi i familjarëve është pjesë standarde e hetimit dhe se rasti po trajtohet si vrasje e dyfishtë. Hetimet vijojnë, ndërsa roli i Nick Reinerit mbetet në qendër të vëmendjes publike për shkak të së shkuarës së tij problematike dhe rrethanave të paqarta të krimit.
