
Heroi i masakrës në Bondi Beach flet nga spitali: Po vdes, thuajini familjes sime se desha të shpëtoja njerëz
Detaje të reja prekëse janë zbuluar për heroin e sulmit terrorist në Bondi Beach, i cili me një akt të jashtëzakonshëm guximi çarmatosi një nga autorët e masakrës që mori jetën e 15 personave. Ahmed Al Ahmed, 43 vjeç, ndodhet aktualisht i shtruar në spital, ku po trajtohet për plagë nga armë zjarri në dorë dhe shpatull.
Sipas familjarëve, pak çaste para se të hidhej drejt terroristit për t’i marrë armën, Ahmed i kishte thënë kushëririt të tij fjalë tronditëse: Po vdes, thuaju familjes sime se desha të shpëtoja njerëz. Pas këtij momenti, ai u përball i vetëm me autorin e sulmit dhe arriti t’i rrëmbente pushkën, duke ndalur zjarrin dhe shpëtuar shumë jetë.
Pamjet e aktit heroik janë bërë virale në mbarë botën, ndërsa historia e tij ka prekur miliona njerëz. Një fushatë GoFundMe e hapur për mbështetjen e tij ka kaluar tashmë shifrën e 1 milion dollarëve, me donacione të shumta nga qytetarë dhe figura të njohura ndërkombëtare.
Familjarët e Ahmed Al Ahmed kanë bërë me dije se ai ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe me moral të lartë, pavarësisht plagëve. Babai i tij ka deklaruar se i biri ka pasur gjithmonë instinkt për të mbrojtur njerëzit, duke theksuar se ndihet krenar që djali i tij u kthye në simbol të guximit dhe humanizmit.
Autoritetet australiane dhe drejtuesit politikë e kanë cilësuar Ahmed Al Ahmed si hero kombëtar, duke theksuar se veprimi i tij ndali një bilanc edhe më tragjik të viktimave në një nga sulmet më të rënda terroriste të viteve të fundit në Australi.
