Sot bëhet një vit që për mua ndryshoi gjithçka.
Një vit që e kam ndjerë si një jetë të tërë.
Kur mendova se gjithçka kishte marrë fund… kur ecja vetëm nën qiellin e hapur, pa shpresë, pa forcë, pa një fjalë që të më mbante gjallë… u shfaq një grua që ma ktheu dritën: Elvira.
Ajo më pa jo siç më shihnin të tjerët, por siç doja të më shihte Zoti. Me butësinë e saj më preku në shpirt dhe këmbënguli të më merrte me vete. Më dhuroi një buzëkuq dhe më tha diçka që s’do ta harroj kurrë:
“Ti meriton të jesh e bukur. Ti je diva e muzikës shqipe.”
Ato fjalë ma hapën një plagë… sepse kur e ke humbur gjithçka, edhe një fjalë e mirë të dhemb. Por në të njëjtën kohë, ato fjalë ndezën një dritë brenda meje. Një dritë që s’po fiket.
Pas dy ditësh, kur mendova prapë se isha vetëm… u shfaq engjëlli im i dytë: Eltoni. Ai më premtoi se do ta gjente djalin tim, Luken.
I thashë me gjithë shpirt:
“Vetëm një herë t’ia ndiej erën djalit tim… dhe të vdes nuk më bëhet vonë. Vetëm kaq dua.”
Ai më pa drejt e në sy dhe më tha:
“Ti nuk duhet të flesh në rrugë. Ti meriton të jetosh si mbretëreshë.”
Dhe unë e besova. Besova sepse kisha nevojë të besoja. Besova se ndoshta koha ime, më në fund, kishte ardhur.
Në atë periudhë të errët, kur ende s’kisha siguri për nesër, u gjend edhe një tjetër shqiptar me zemër të madhe: Kadri Morina. Ai ma pagoi banesën për një vit dhe më dha një vend ku të mbështesja kokën, një derë ku të hyja pa frikë… deri më 31 janar 2026.
Kjo nuk ishte vetëm ndihmë materiale. Ishte dinjitet. Ishte shpresë. Dhe për këtë do t’i jem mirënjohëse gjithë jetën.
Por jeta… jeta paska plane të tjera.
Më 3 janar 2025 erdhi dita ime. Atë ditë e takova djalin tim, dritën e syve të mi. Ai më premtoi se do të ishim bashkë, se do të kujdesej për mua dhe se do ta menaxhonte karrierën time në të ardhmen.
Ishin premtime të bukura… por fatkeqësisht mbetën vetëm fjalë.
Sepse… nuk e pashë më kurrë.
Kanë kaluar 11 muaj.
Asnjë mesazh.
Asnjë telefonatë.
Asnjë shenjë.
Ka dhimbje që nuk bërtasin… vetëm të hanë përbrenda, çdo ditë.
Por sot jam këtu.
E plagosur… po.
E tronditur… po.
Por jo e mposhtur.
Sepse njerëzit mund të largohen… por forca ime nuk largohet.
Shqiptarët u bashkuan dhe më dhuruan 145.000 dollarë. Është një mirënjohje që s’e përshkruaj dot me fjalë. Do ta mbaj në zemër deri në fund të jetës sime.
Faleminderit nga shpirti.
Dhe në fund dua të them vetëm këtë:
Shqiptarët që u bashkuat për mua… ju jeni forca ime.
Ju jeni arsyeja pse sot jam ende këtu, me kokën lart.
Ju dua. Dhe nuk do t’ju harroj kurrë.
