
Turkish Airlines u tërhoq para pezullimit zyrtar, borxhet dhe paditë çojnë drejt kolapsit të linjës kombëtare
Air Albania ka ndërprerë të gjitha fluturimet që prej datës 7 dhjetor 2025, pasi Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë i ka pezulluar licencën operuese për mosrespektim të standardeve ligjore dhe rregullatore të aviacionit civil. Pa këtë licencë, kompania nuk ka të drejtë ligjore të kryejë fluturime komerciale.
Prej muajsh, linja ajrore është përballur me vështirësi të rënda financiare. Qiradhënës të avionëve, përfshirë kompaninë amerikane GA Telesis, kanë depozituar padi në Gjykatën e Lartë të Anglisë dhe Uellsit ndaj Air Albania dhe Turkish Airlines për mospagesa të qirave të avionëve Airbus A320. Burime të brendshme flasin për detyrime financiare që kalojnë shifrën e 100 milionë eurove, si dhe për probleme serioze në menaxhimin financiar.
Një zhvillim kyç para pezullimit të licencës ishte largimi i Turkish Airlines, e cila mbante 49% të aksioneve dhe ishte partneri strategjik i Air Albania që nga themelimi i saj në vitin 2018. Vendimi i bordit të Turkish Airlines për të shitur aksionet shihet si sinjal i qartë i mungesës së besimit në vijimësinë e kompanisë.
Ndërkohë, janë raportuar raste kur Air Albania ka vijuar të shesë bileta edhe pas ndalimit të fluturimeve, duke ngritur shqetësime për dëmtim të pasagjerëve dhe rrezik të humbjes së parave nga ana e udhëtarëve.
Me pezullimin e Air Albania, Shqipëria mbetet pa një linjë ajrore kombëtare të regjistruar. Lidhjet ajrore tashmë do të varen tërësisht nga operatorë të huaj, kryesisht kompani low cost si Wizz Air dhe Ryanair, të cilat kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në tregun shqiptar.
Problemet e Air Albania ishin shfaqur edhe më herët gjatë vitit 2025, me anulime të shpeshta fluturimesh dhe dështim të hapjes së linjave të reja, përfshirë destinacionin Tiranë–Lubjanë, për shkak të krizës financiare që përfundimisht çoi në pezullimin e aktivitetit.
