
Mjeti po kthehej nga një udhëtim festiv drejt Medellinit, mbi 20 persona mbetën të plagosur
Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe rreth 20 të tjerë janë plagosur pasi një autobus që transportonte nxënës dhe të rritur doli nga rruga dhe ra në një humnerë në veri të Kolumbisë, njoftuan autoritetet lokale.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në një rrugë që lidh zonat Remedios dhe Zaragoza, në departamentin Antioquia. Sipas të dhënave paraprake, autobusi me rreth 45 pasagjerë ka rrëshqitur dhe ka rënë rreth 80 metra poshtë një gryke, për shkaqe që ende po hetohen.
Guvernatori i Antioquias bëri me dije se autobusi po kthehej nga qyteti bregdetar Tolu drejt Medellinit, pas një udhëtimi të organizuar nga nxënës të shkollës së mesme Liceo Antioqueño, të cilët kishin festuar mbylljen e vitit shkollor në bregdet. Shkolla sqaroi se udhëtimi nuk ishte aktivitet zyrtar, por ishte organizuar drejtpërdrejt nga vetë nxënësit.
Mes viktimave është edhe drejtuesi i mjetit, i punësuar nga një kompani transporti turistik. Autoritetet lokale njoftuan se të plagosurit, të moshës nga 16 deri në 27 vjeç, janë shpërndarë në disa spitale në zonat Segovia dhe Remedios, ku disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Shkolla ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka ofruar mbështetje për nxënësit e prekur nga tragjedia, ndërsa autoritetet rrugore të Kolumbisë kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe kanë bërë thirrje për respektimin e rregullave të qarkullimit për të shmangur ngjarje të tilla fatale.
