
Një i ri nga Kebek-u, i cili në moshën 18-vjeçare u diagnostikua me leuçemi mieloide akute dhe iu dhanë vetëm dy vite jetë, sot është plotësisht i shëruar, falë një trajtimi eksperimental të zhvilluar në Montreal.
Ludovic Tamaro, tashmë 25 vjeç, në formë dhe me energji të reja, kujton momentin kur mjekët e tij në spitalin Maisonneuve-Rosemont i ofruan terapinë e veçantë me qeliza nga gjaku i kordonit të kërthizës. “Është kjo që më shpëtoi jetën,” – tha ai, duke falënderuar të gjitha nënat që kanë dhuruar kordone për Héma-Québec, organizata që furnizon me mbi 13 mijë njësi gjaku kordoni për kërkime dhe trajtime.
Terapia e re, e quajtur UM171, është zhvilluar nga hematologu Guy Sauvageau dhe studiuesja Anne Marinier. Ajo funksionon duke rindërtuar palcën e eshtrave përmes qelizave burimore të modifikuara nga gjaku i kordonit ombilikal. Procesi nis me kimioterapi intensive e më pas pacientit i injektohen qelizat të cilat kolonizojnë sistemin e gjakut dhe rikthejnë funksionimin normal.
Ndryshe nga një transplant i zakonshëm, ndërhyrja zgjat vetëm disa orë, nuk kërkon operacion dhe pacienti ka pak efekte anësore. Ludovic kujton: “Për disa javë ndjeja sikur trupi im po ndryshonte, sikur çdo qelizë po rilindte brenda kockave të mia.”
Që prej vitit 2014, kjo terapi ka shpëtuar jetën e 120 pacientëve në mbarë botën dhe së fundmi është miratuar edhe nga autoritetet shëndetësore të Evropës. Megjithatë, në Kanada përdoret ende vetëm në kuadër të protokolleve eksperimentale, për raste të veçanta.
Sot, Ludovic studion psikologji në Universitetin e Kebek-ut dhe ëndërron të vazhdojë masterin në logopedi. “Më është rikthyer energjia, luaj futboll, bëj plane për të ardhmen. Dua të jem dëshmi që shkenca dhe kërkimi shkencor shpëtojnë jetë dhe se shpresa nuk duhet humbur kurrë, as në momentet më të errëta,”, thotë ai me emocion.