
Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, ka njoftuar të dielën dorëheqjen e tij si kryetar i Partisë Liberal-Demokrate (PLD) si dhe nga posti i kreut të qeverisë, më pak se një vit pasi mori detyrën.
“Kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i presidentit të Partisë Liberal-Demokrate”, deklaroi 68-vjeçari gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se pas përfundimit të negociatave me SHBA për tarifat tregtare, ky ishte momenti i duhur për t’u tërhequr dhe për t’i lënë vendin gjeneratës së re.
Dorëheqja e tij erdhi mes presionit të fortë nga figurat kryesore të PLD, sidomos pas humbjes së shumicës në të dy dhomat e parlamentit, gjatë zgjedhjeve të fundit. Sipas mediave japoneze, përpara vendimit, Ishiba ishte takuar me ministrin e Bujqësisë Shinjiro Koizumi dhe ish-kryeministrin Yoshihide Suga, të cilët e kishin nxitur të largohej.
Paradoksi është se vendimi i tij erdhi në një moment kur popullariteti i qeverisë ishte në rritje: pas marrëveshjes tregtare me SHBA dhe masave për frenimin e çmimeve të orizit, sondazhet treguan një rimëkëmbje të mbështetjes publike, duke shënuar nivelet më të larta që prej muajsh.
Megjithatë, tronditjet e brendshme në PLD, përfshirë dorëheqjen e katër drejtuesve të lartë të partisë e bënë të pamundur që Ishiba të mbante postin.
Për pasardhësin e tij, më e përfolura është Sanae Takaichi, figura nacionaliste që doli e dyta në garën për lidership në vitin 2024. Një sondazh i fundit e rendit atë si më të përshtatshmen për të marrë drejtimin e PLD.