
12 tendera nën dyshime për abuzime miliona euro, masa sigurie për drejtues, biznesmenë dhe zyrtarë
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar një operacion të gjerë në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, në kuadër të një hetimi që lidhet me procedurat tenderuese të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Aksioni vjen pas një hetimi njëvjeçar, gjatë të cilit janë ngritur dyshime serioze për shkelje të rënda ligjore në menaxhimin e tenderave publikë.
Sipas burimeve jozyrtare, hetimi përfshin 12 procedura tenderuese me vlera të larta financiare, kryesisht për mirëmbajtjen e serverëve dhe sistemeve informatike të institucioneve shtetërore me rëndësi të veçantë. Dyshohet se kriteret e këtyre tenderave janë hartuar në mënyrë të paracaktuar, duke favorizuar kompani të caktuara dhe duke cenuar konkurrencën e ndershme.
Gjykata e Posaçme ka vendosur masa të ndryshme sigurie. Për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është caktuar masa arrest shtëpie, ndërsa për biznesmenin Ermal Beqiri dhe Ergys Agasin është vendosur masa arrest me burg. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle edhe në banesat e personave të përfshirë, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se dyshohet për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Hetimi ka përfshirë edhe analizën e pasurive të personave të dyshuar, si dhe mënyrën e administrimit të kontratave dhe fondeve publike të përfituara nga procedurat tenderuese.
Në kuadër të kësaj dosjeje, hetuesit e SPAK kanë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në manipulimin e procedurave.
Operacioni i sotëm konsiderohet një nga ndërhyrjet më të forta të SPAK ndaj AKSHI-t, institucion që prej kohësh ka qenë në qendër të dyshimeve për prokurime të dyshuara si korruptive. Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme apo nga institucionet e përfshira, ndërsa pritet që në vijim të ketë zhvillime dhe sqarime të tjera lidhur me këtë çështje me interes të lartë publik.
