
Presidenti amerikan Donald Trump ka arritur një rekord të ri financiar: në vetëm gjashtë muaj ai ka siguruar rreth 200 milionë dollarë përmes komitetit të tij të fuqishëm të mbështetjes politike, MAGA Inc. (“Make America Great Again”).
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Federal i Zgjedhjeve (FEC) dhe të cituara nga BFM TV, shuma e grumbulluar nga Trump është shumëfish më e lartë se ajo e komitetit demokrat, i cili ka raportuar vetëm 2 800 dollarë në të njëjtën periudhë.
Në listën e kontribuesve spikasin emra të mëdhenj nga bota e biznesit dhe teknologjisë. Jeff Yass, miliarder dhe investitor i TikTok, dhuroi 15 milionë dollarë më 6 mars, pikërisht ditën kur Trump u shpreh në favor të shtyrjes së afatit për rrjetin social në SHBA.
Industria e kriptovalutave ka dhënë një kontribut të dukshëm: rreth 20% e fondeve të mbledhura vijnë nga kompani të mëdha të këtij sektori. Foris Dax, kompania mëmë e Crypto.com, dhuroi 10 milionë dollarë, ndërsa Tools for Humanity, e bashkëthemeluar nga Sam Altman (CEO i OpenAI), kontribuoi me 5 milionë. Investitorët Marc Andreessen dhe Ben Horowitz dhanë nga 3 milionë secili. Në listë figuron edhe Elon Musk, i cili pavarësisht prishjes së marrëdhënieve me Trump, ka dhuruar 5 milionë dollarë më 27 qershor.
Sipas New York Times, Trump ka ditur të shfrytëzojë etjen e korporatave amerikane për të fituar simpatinë e tij, duke organizuar darka gala me bileta që kapnin mbi një milion dollarë.
Revista Forbes raportoi në prill se pasuria personale e Trump ka arritur 5.1 miliardë dollarë, pothuajse e dyfishuar brenda një viti. Ky sukses financiar i jep presidentit një avantazh të madh politik, jo vetëm kundrejt demokratëve, por edhe ndaj rivalëve brenda partisë së tij.