
Ministri i Brendshëm francez në largim, Bruno Retailleau, ka njoftuar se rreth 80 mijë policë dhe xhandarë do të mobilizohen të mërkurën, më 10 shtator, për të përballuar protestat e paralajmëruara në kuadër të lëvizjes sociale “Bloquons tout” (Bllokojmë gjithçka).
Sipas shërbimeve të inteligjencës territoriale, pritet që rreth 100 mijë protestues të dalin në rrugët e Francës për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe politikave ekonomike.
Retailleau paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë formë bllokimi, dhune apo sabotimi, duke thënë se forcat e rendit kanë urdhër për ndërhyrje të ashpër dhe arrestime në rast shkeljesh ligjore.
Ai akuzoi partinë e majtë radikale La France Insoumise dhe liderin e saj Jean-Luc Mélenchon për nxitje të një klime insurksioni, duke deklaruar se protesta, që fillimisht ishte qytetare, është tashmë e radikalizuar nga grupet e ekstremit të majtë.
Nga ana tjetër, Mélenchon reagoi duke thënë se Ministri i Brendshëm është në luftë me popullin francez dhe u kërkoi qytetarëve të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të përmbajtur.