Parlamenti Evropian ka votuar në favor të heqjes së imunitetit parlamentar për eurodeputeten e Partisë Demokratike italiane (Pd), Alessandra Moretti, në kuadër të hetimeve për të ashtuquajturin skandal “Qatargate”.
Me 497 vota pro, 139 kundër dhe 15 abstenime, salla plenare e Strasburgut miratoi vendimin e Komisionit Juridik të Parlamentit Evropian për heqjen e imunitetit të Moretti-t, të marrë më 3 dhjetor.
Ndërkohë, Parlamenti votoi në favor të mbrojtjes së imunitetit parlamentar për eurodeputeten tjetër të Pd-së, Elisabetta Gualmini.
“Jam e zhgënjyer sepse elementët mbi të cilët bazohej kërkesa ishin hedhur poshtë prej meje tashmë me dokumente, dhe vazhdoj të mendoj se votimi nuk u fokusua aq te përmbajtja e kërkesës, por u ndikua nga strategji dhe interesa politiko-elektorale”, deklaroi për ANSA eurodeputetja Alessandra Moretti.
“Ashpresoj të dëgjohem nga prokuroria sa më shpejt që të jetë e mundur, për t’u mbrojtur nga akuzat”, theksoi ajo, duke falënderuar grupin e saj politik dhe “shumë kolegë nga të gjitha partitë për mbështetjen”.
Do të vazhdoj të bëj punën time me kokën lart”, përfundoi Moretti.
Për Moretti-n, bëhet fjalë për kontakte me Antonio Panzeri-n dhe për një udhëtim të supozuar në Katar, ku dyshohet se ka marrë dhuratë një orë Rolex. Këto akuza janë mohuar prerazi nga eurodeputetja, e cila ka deklaruar, duke paraqitur edhe pasaportën e saj, se nuk ka kryer kurrë një udhëtim të tillë dhe se nuk ka marrë asnjë orë.
