Koha e tepërt përpara ekranit mund t’i kushtojë Francës deri në 2.3% të PBB-së deri në vitin 2060!

Sipas një studimi të publikuar nga Ministria Franceze e Ekonomisë, ekspozimi i tepruar ndaj ekraneve, veçanërisht rrjeteve sociale dhe platformave digjitale mund të dëmtojë shëndetin mendor dhe aftësitë njohëse të fëmijëve, duke sjellë kosto të larta ekonomike në të ardhmen.
Studimi i ekonomistit Solal Chardon-Boucaud, i bazuar në literaturën shkencore ekzistuese, vlerëson se deri në vitin 2060, Franca mund të humbasë deri në 2.3 pikë të Produktit të Brendshëm Bruto në vit, si pasojë e mungesës së vëmendjes, depresionit, ankthit dhe stresit kronik, që lidhen me përdorimin e tepërt të teknologjisë.
“Ekonomia e vëmendjes në epokën dixhitale”, siç e përshkruan studimi, ndikon drejtpërdrejt në arsimimin, produktivitetin dhe mirëqenien e brezave të rinj, duke ngritur alarm për politikat publike të ardhshme.
Ekspertët kërkojnë më shumë masa parandaluese, edukim digjital dhe rregullim më të fortë të platformave, për të mbrojtur shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve.