Agustin Kaza, 45-vjeçari shqiptar, i vrarë në Bruksel. Policia federale belge lëshon një thirrje të re për ndihmë!

Policia federale belge ka lëshuar një thirrje të re për identifikim në lidhje me vrasjen e Agustin Kaza, një shqiptar 45-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje më 28 prill 2024, rreth orës 22:30, në një kafene në rrugën Joseph Brand, në komunën e Schaerbeek në Bruksel.
Sipas dëshmive dhe kamerave të sigurisë, autori i dyshuar i krimit mund të çalojë dhe ishte i veshur me kominoshe të errta me vija të kuqe te shpatullat, një logo të bardhë në kraharor, kapele dhe kapuç. Ai është ende në kërkim aktiv.
Hetuesit kërkojnë gjithashtu të identifikojnë një tjetër person me trup të madh, i cili atë natë kishte veshur xhinse gri të errët, bluzë të zezë me kapuç dhe një kapele të zezë.
Pista kryesore e hetimit është një krim nderi i lidhur me Kanunin shqiptar, një kod zakonor mesjetar që ende zbatohet nga disa klane. Vrasja e Agustin Kazës dyshohet të jetë një hakmarrje për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, kur vëllai i tij, Martin Kaza, vrau dy vëllezër në Shqipëri, të cilët ishin të dyshuar më herët për një vrasje tjetër të ndodhur në vitin 1994.
Ngjarja ka shkaktuar alarm në komunitetin shqiptar në Belgjikë, ndërsa autoritetet nxisin çdo person që ka informacion të kontaktojë urgjentisht policinë belge.