Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur botën e Hollywood-it, ku djali i regjisorit të famshëm Rob Reiner dhe gruas së tij, Michele Singer, është akuzuar për vrasjen e prindërve të tij.
Sipas raportimeve të fundit, 32-vjeçari Nick Reiner dyshohet se ka therur prindërit e tij në fyt ndërsa ata ishin në shtrat.
Tragjedia u zbulua nga vajza e tyre, Romy Reiner, 27 vjeçe, e cila gjeti trupat e prindërve të saj rreth orës 15:30 të dielën. Ajo raportoi menjëherë policisë se vëllai i saj ishte “i rrezikshëm” dhe mund të ishte përgjegjës.
Sipas raportimeve, Nick kishte qenë duke jetuar në shtëpinë e prindërve të tij në momentin e ngjarjes, por kur trupat u gjetën, ai nuk ndodhej aty. Më pas, ai u arrestua rreth orës 21:15, në një motel pranë “Santa Monica Pier”, rreth 15 milje larg shtëpisë së prindërve. Hetuesit gjetën dhomën e motelit dhe dushin plot gjak, ndërsa dritaret të mbuluara me çarçafë.
