
Nga një kompani modeste në vitin 2012 në peshkaqen tenderësh të ARRSH, KESH dhe OSHEE, hetimet fokusohen te transfertat jashtë vendit dhe lidhjet me pushtetin
Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar verifikimet mbi lëvizjet financiare të kompanisë 4 A-M, duke u ndalur veçanërisht te disa transferta parash të kryera jashtë Shqipërisë. Sipas burimeve pranë hetimit, prokurorët dyshojnë se këto lëvizje financiare mund të kenë lidhje me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa procesi i verifikimit vijon ende dhe konsiderohet në fazë delikate.
Në qendër të hetimeve është ngritja e shpejtë dhe e pazakontë e kompanisë 4 A-M, e cila brenda pak vitesh u shndërrua nga një ndërmarrje thuajse e panjohur në një nga përfitueset kryesore të fondeve publike në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
Në vitin 2012, 4 A-M rezultonte me një xhiro rreth 3.3 milionë euro dhe konsiderohej një kompani modeste, e lidhur më herët në perceptimin publik me Partinë Demokratike për shkak të origjinës së pronarëve të saj. Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, kompania në pronësi të Ardit Metaliajt dhe vëllezërve të tij nisi një rritje të përshpejtuar, e cila do të ndryshonte rrënjësisht pozicionin e saj në tregun e tenderëve publikë.
Zanafilla e këtij transformimi lidhet me Albcontrol, institucion që në vitet 2014 dhe 2015 drejtohej nga Belinda Balluku. Gjatë kësaj periudhe, 4 A-M përfitoi disa kontrata të rëndësishme, të cilat konsiderohen nga hetuesit si pika e nisjes së një marrëdhënieje që do të forcohej më tej me rritjen e pushtetit politik të Ballukut.
Në vitin 2018, xhiroja e kompanisë arriti në rreth 20 milionë euro. Një vit më pas, në janar 2019, Balluku u emërua ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Që nga ky moment, rritja financiare e 4 A-M u përshpejtua ndjeshëm. Në vitin 2020, kompania realizoi një qarkullim prej 30 milionë eurosh, në vitin 2021 kjo shifër shkoi në 43 milionë euro, ndërsa në tre vitet e fundit xhiroja është stabilizuar në rreth 50 milionë euro në vit.
Sipas të dhënave të mbledhura nga hetimi, pjesa më e madhe e këtyre fondeve kanë ardhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, KESH dhe OSHEE, institucione që ndodhen nën varësinë direkte të ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku. Në rrethet e biznesit të infrastrukturës, 4 A-M përmendej shpesh si një nga kompanitë e preferuara të ministrisë, së bashku me 2T dhe Alko Impex.
Të treja këto kompani shënuan rritje të fortë financiare pas vitit 2019 dhe, të marra së bashku, arritën të qarkullonin deri në 130 milionë euro në vit. Jo rastësisht, ato rezultojnë edhe fituese në disa nga tenderët më të mëdhenj të projektit të Unazës së Madhe, për të cilin SPAK ka njoftuar se ka vendosur nën hetim Belinda Ballukun.
Në këtë projekt, 4 A-M fitoi lotin e dytë në bashkëpunim me kompani të tjera, me një vlerë rreth 25 milionë euro, ndërsa 2T dhe Alko Impex përfituan lotin e shtatë me vlerë mbi 23 milionë euro. Hetimet e SPAK dyshojnë se tenderët e Unazës së Madhe janë ndarë përmes procedurave të paracaktuara dhe fiktive, duke ngritur dyshime serioze për abuzim me fondet publike.
Ndërsa SPAK ka kërkuar zyrtarisht në Kuvend heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ndjekja e flukseve financiare dhe transfertave të dyshimta jashtë vendit, të kryera nga kompani që kanë përfituar kontrata të mëdha publike. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi mekanizmin e ndarjes së fondeve dhe mbi rolin e mundshëm të zyrtarëve të lartë shtetërorë në këtë skemë.
