
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Klejvis Metalla pritet të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë për një ngjarje që tronditi Dibrën
Një ngjarje e rëndë dhune në familje, që tronditi opinionin publik muaj më parë, ka marrë një zhvillim të ri pas arrestimit të autorit të dyshuar. Interpoli ka prangosur në Beograd 24-vjeçarin shqiptar Klejvis Metalla, me banim në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për dhunë të rëndë ndaj bashkëjetueses së tij shtatzënë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, arrestimi u krye në kuadër të operacionit ndërkombëtar The Wanted, si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Beogradit. Metalla ishte në arrati prej muajsh, pasi në mars 2025 Gjykata e Dibrës i kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në janar 2025. Sipas hetimeve, 24-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj bashkëjetueses së tij, e cila ishte shtatzënë. Ditën e ngjarjes, më 27 janar, rreth orës 15:30, ai e ka mashtruar vajzën e re dhe vëllain e saj 5-vjeçar që të hipnin në automjet, pasi më herët i kishte marrë pasaportën. Jashtë qytetit, në zonën e njohur si Gurët e Skënderbeut, ai ka ndaluar makinën dhe ka zbritur vajzën, duke e goditur brutalisht me shkelma në bark dhe pjesë të tjera të trupit.
Si pasojë e dhunës barbare, mjekët kanë qenë të detyruar të kryejnë abort për të shpëtuar jetën e 23-vjeçares, e cila në atë moment ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Rasti ka shkaktuar indinjatë të madhe publike, pasi përfshinte dhunë ekstreme ndaj një gruaje shtatzënë dhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e saj.
Autoritetet bëjnë me dije se Interpol Tirana është njoftuar zyrtarisht për arrestimin e Metallës në Serbi dhe tashmë pritet përfundimi i procedurave për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat penale.
Ngjarja ishte trajtuar më herët edhe nga një emision investigativ, ku partnerja e 24-vjeçarit kishte rrëfyer se dhuna kishte nisur pasi ai ishte nevrikosur nga shtatzënia e saj. Arrestimi i tij shihet si një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë për një nga rastet më tronditëse të dhunës ndaj grave të regjistruara gjatë këtij viti.
