
I kërcënuar dhe nën presion, Meçe nuk bëri kallëzim në polici, por njoftoi Ambasadën Gjermane dhe u largua me familjen jashtë vendit
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e AKSHI-it, ku zbulohet se biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng për disa orë nga persona ende të paidentifikuar, rreth dy javë përpara rastit të bujshëm që lidhet me Daniel Shimën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në garazhin e banesës së tij në Tiranë.
Sipas të dhënave hetimore, Meçe ishte ndjekur për disa orë nga persona të panjohur. Në momentin që ai ka hyrë në garazh për të parkuar automjetin, një person ka zbritur nga një makinë tjetër, i veshur me një uniformë të vjetër që ngjante me atë të Policisë së Shtetit, dhe i është drejtuar biznesmenit me fjalët se përfaqësonte policinë.
Nën presion dhe i frikësuar, Gerond Meçe është futur në automjetin e personave të dyshuar, ku i është mbuluar fytyra dhe është transportuar drejt një zone në Elbasan. Aty, rrëmbyesit i kanë dhënë një aparat celular dhe i kanë kërkuar të telefonojë administratorin e kompanisë së tij, me qëllim tërheqjen e një ankese të depozituar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, e lidhur me një tender me vlera të konsiderueshme financiare.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Meçe e ka kryer telefonatën dhe menjëherë pas saj ankesa është tërhequr. Pas këtij veprimi, ai është lënë i lirë dhe ka dalë në një rrugë kryesore, ku ka marrë një automjet tjetër për t’u kthyer në banesën e tij në Tiranë.
I tronditur dhe nën presion të vazhdueshëm, biznesmeni nuk ka bërë kallëzim pranë Policisë së Shtetit. Në vend të kësaj, ai ka njoftuar Ambasadën Gjermane për ngjarjen e ndodhur. Pas episodit të rëndë, Gerond Meçe është larguar nga Shqipëria së bashku me familjen e tij.
Sipas burimeve mediatike, pas largimit të biznesmenit, disa prej punonjësve të kompanis së tij kanë nisur punë pranë kompanisë Soft Solution, në pronësi të Ermal Beqirit, i cili rezulton në kërkim, së bashku me Ergys Agasin.
Ngjarja hedh dritë mbi presione të rënda dhe metoda kriminale që dyshohet se janë përdorur për të ndikuar në proceset e prokurimit publik, ndërsa autoritetet pritet të thellojnë hetimet për identifikimin e personave përgjegjës.
