
Lirohen 34.6 milionë euro për katër projekte IPA, ndërsa Prishtina kërkon heqjen e plotë të masave ndëshkuese
Bashkimi Europian ka nisur heqjen graduale të disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, duke zhbllokuar fondet financiare për katër projekte të rëndësishme. Lajmi është bërë i ditur nga Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas pranimit të një letre zyrtare nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman.
Sipas letrës së publikuar, lirimi i fondeve vjen si rezultat i vlerësimit pozitiv të Bashkimit Evropian për transferimin e rregullt dhe të qetë të pushtetit lokal në katër komunat në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor. Fondet e zhbllokuara lidhen me programet e para-anëtarësimit IPA dhe kapin vlerën e 34.6 milionë eurove.
Në dokumentin e dërguar nga Komisioni Evropian thuhet se, në përputhje me komunikimin për Zgjerimin 2025, BE do të vazhdojë heqjen e disa masave të tjera që lidhen me kontraktimin e projekteve prioritare dhe përdorimin e fondeve evropiane, megjithëse një pjesë e masave mbetet ende në fuqi.
Autoritetet në Prishtinë e kanë mirëpritur këtë hap, duke theksuar se synimi mbetet heqja e plotë e të gjitha masave ndëshkuese. Zëvendëskryeministri Bislimi ka deklaruar se nuk ekzistojnë më arsye për mbajtjen e masave, veçanërisht pas zhvillimeve pozitive në veri dhe transferimit të pushtetit në mënyrë ligjore dhe paqësore.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka bërë të qartë se jo të gjitha masat do të hiqen brenda këtij viti. Kosova është ftuar të paraqesë projektet për përdorimin e fondeve IPA për periudhën 2026–2027, të cilat do të duhet të miratohen nga Komisioni Evropian dhe të mbështeten nga shtetet anëtare.
Ndërkohë, ministrat e vendeve anëtare të BE-së kanë diskutuar në Bruksel për procesin e zgjerimit, duke miratuar konkluzionet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën, Këshilli për Çështje të Përgjithshme ka kërkuar përshpejtimin e reformave dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, përfshirë angazhimet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar për këtë status në dhjetor të vitit 2022. Në këtë kontekst, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Bruksel ku merr pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, ku pritet të diskutohet partneriteti me BE-në, procesi i zgjerimit, Plani i Rritjes për rajonin dhe avancimi i perspektivës evropiane të Kosovës.
Në agjendën e samitit përfshihen gjithashtu çështje që lidhen me integrimin ekonomik, investimet, reformat, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe menaxhimin e migracionit, në një kohë kur procesi i zgjerimit vijon të mbetet i ngadaltë dhe i kushtëzuar.
