Klejvis Metalla u arrestuar në Serbi pas disa muajsh në kërkim pasi dhunoi partneren e tij shtatzënë, derisa i vrau foshnjën që ajo kishte në bark.
24-vjeçari ishte larguar nga vendi përmes Pikës Kufitare të Bllatës, pas ngjarjes shokuese të ndodhur më Janar 2025, por u vendos në pranga në shtetin fqinj dhe pritet ekstradimi i tij drejt vendit tonë.
Ndaj tij, në muajin mars 2025, Gjykata e Dibrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Klejvis Metalla nuk dëshironte foshnjën, të cilën partnerja e tij 23-vjeçare mbante në bark dhe kishte tentuar të bindte familjarët e saj, që ajo të abortonte në muajin e pestë ilegalisht në një klinikë në Fier.
Por 23-vjeçarja nuk pranoi të abortojë fëmijën dhe vendosi të ikë. Ditën e ngjarjes, më 27 janar në orën 15:30, e reja së bashku me të vëllain 5 vjec, hipi në makinën e Klejvis Metallës, pasi ky i fundit i kishte marrë pasaportën.
Ai e dërgoi jashtë qytetit në vendin e quajtur “gurët e Skënderbeut”, ku 24-vjeçari ka ndaluar automjetin dhe pasi ka zbritur partneren e tij e ka goditur me shkelma në bark dhe në trup.
Më pas i ka marrë celularin dhe është larguar në drejtim të Peshkopisë. Një kalimtar i rastit shoqëroi 23 vjeçaren në Komisariatin e Bulqizës, ndërsa vëllain e saj të vogël e çoi në shtëpi.
Vajza mbërriti në polici gjithë fraktura dhe gjak, por nuk iu mor denoncimi, pasi iu tha se duhet të bëhej në Tiranë, ku banonte i riu, raportoi emisioni investigativ “Stop” në atë kohë.
BISEDA ME BABAIN E VAJZËS
Klejvis Metalla: Unë po të them, e ka dash kjo, e ka mbajt me dhunë e ka mbajt mçeftas. Tani, unë kam ardhur këtu, meqë kjo thotë, është i imi. Unë du me i gjet zgjidhje kësaj pune. Unë fëmijë nuk du, po të kisha dash, e kisha bo…
Babai i vajzës: A do gjesh ti derman nga Zoti, që do të vrasësh fëmijën tënd?!
Klejvis Metalla: Është problemi im. Unë kurrë mos gjetsha derman! Unë fëmijë nuk du…
