
Ngjarja ndodhi në ambientet e një shkolle jopublike, i mituri i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën
Një tjetër episod i rëndë dhune mes nxënësve është regjistruar këtë të mërkurë në Sarandë, duke ngritur sërish alarmin për sigurinë në ambientet shkollore.
Rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr. 3 të qytetit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një nxënës 13 vjeç ka goditur me mjet prerës një të mitur 15 vjeç.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku sipas burimeve zyrtare ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën mjekësore të nevojshme.
Policia bën me dije se vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale pritet t’i referohen Prokurorisë, ndërsa pritet edhe verifikimi i masave të sigurisë në institucionin arsimor.
Ngjarja vjen në një kohë kur rastet e dhunës mes të miturve në shkolla janë shtuar, duke rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të forta parandaluese dhe monitorim të vazhdueshëm në ambientet arsimore.
