
Senegalit dhe Bregut të Fildishtë u bllokohet hyrja në SHBA, mijëra tifozë rrezikojnë të mos ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka firmosur një shpallje të re që zgjeron ndalimet e udhëtimit drejt SHBA-ve, duke përfshirë edhe shtetasit e Senegalit dhe Bregut të Fildishtë, dy vende që do të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026. Vendimi prek drejtpërdrejt tifozët e këtyre kombëtareve, të cilëve u ndalohet hyrja në territorin amerikan për qëllime turizmi apo qëndrime afatshkurtra.
Sipas autoriteteve amerikane, ndalimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet edhe gjatë periudhës së zhvillimit të Botërorit, i cili do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kjo situatë ka krijuar pasiguri të madhe për dhjetëra mijëra tifozë afrikanë që kishin planifikuar të udhëtonin për të ndjekur ekipet e tyre.
Senegali është pjesë e Grupit I dhe do të luajë ndeshjet kundër Francës dhe Norvegjisë në stadiumin MetLife në SHBA, ndërsa ndeshja e tretë do të zhvillohet në Kanada, ku ndalimi nuk aplikohet. Një situatë e ngjashme vlen edhe për Bregun e Fildishtë, që ndodhet në Grupin E dhe ka dy ndeshje të planifikuara në SHBA dhe një në Kanada.
Administrata amerikane ka sqaruar se ndalimi nuk prek lojtarët, stafin teknik dhe familjarët e ngushtë të ekipeve kombëtare, të cilët do të lejohen të hyjnë në SHBA me përjashtime të veçanta. Kjo do të thotë se futbollistët profesionistë që aktivizohen në kampionatet evropiane nuk do të kenë pengesa për të marrë pjesë në turne.
Megjithatë, për tifozët e thjeshtë, masa përbën një goditje të fortë. Senegali dhe Bregu i Fildishtë i shtohen kështu listës së vendeve të ndaluara, ku tashmë përfshihen edhe Irani dhe Haiti, duke e çuar në katër numrin e shteteve pjesëmarrëse në Botëror, tifozët e të cilave nuk lejohen të udhëtojnë në SHBA.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se shpallja përfshin disa përjashtime, si për rezidentët e përhershëm, mbajtësit e vizave ekzistuese, sportistët, diplomatët dhe rastet kur hyrja shërben për interesin kombëtar të SHBA-së.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Kupa e Botës 2026 po përballet edhe me kritika të forta për çmimet e larta të biletave në ndeshjet që zhvillohen në SHBA. Pavarësisht përpjekjeve të FIFA-s për të ofruar një kategori më të lirë biletash për tifozët, shumë prej tyre e konsiderojnë përvojën e Botërorit gjithnjë e më të paarritshme, si financiarisht ashtu edhe për shkak të kufizimeve të udhëtimit.
