Vladimir Putin ka shfrenuar gojën ndaj udhëheqësve evropianë, duke i quajtur “derra”. Presidenti rus po fliste për administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që drejtohej nga Joe Biden, teksa tha se bashkë me “derrat e saj evropianë” ishin të bindur se do të mund ta shkatërronin shpejt Rusinë kur nisi luftën në Ukrainë.
“Derrat evropianë iu bashkuan menjëherë administratës Biden me shpresën për të përfituar nga kolapsi i vendit tonë, duke rikuperuar atë që ishte humbur në periudhat e mëparshme historike dhe duke u përpjekur të hakmerreshin”, tha udhëheqësi i Kremlinit gjatë një takimi me krerët e ushtrisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Udhëheqësi i Kremlinit shprehu shpresën se Evropa do të fillojë dialogun me Moskën, por gjithashtu pranoi se kjo është “e pamundur” me klasën aktuale politike në pushtet. Ai tha se pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia mendoi se mund të bëhej “anëtare e familjes perëndimore”, por shtoi se tashmë atje nuk ka më qytetërim.
“Menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, na dukej se do të bëheshim shpejt anëtarë të të ashtuquajturës familje ‘të civilizuar’ të popujve evropianë, familjes perëndimore. Sot, rezulton se atje nuk ka qytetërim, vetëm degradim të plotë”, tha Putin
