
Konflikti nisi për xhirimin e gomave, Pjetër Marku u qëllua me dy plumba dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën
Një ngjarje e rëndë me armë zjarri është regjistruar në Mamurras, ku një konflikt i çastit mes dy personave përfundoi me plagosjen e një të riu. Pjetër Marku mbeti i plagosur pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një përplasjeje verbale që degradoi shpejt në dhunë.
Sipas burimeve pranë hetimit, Marku sapo ishte kthyer nga Anglia dhe ndodhej në zonë kur i kërkoi autorit të lëvizte me kujdes dhe të mos xhironte gomat e automjetit. Ky reagim ka nxitur konfliktin, gjatë të cilit autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë.
Njëri prej plumbave e ka goditur Markun në krah, duke i shkaktuar plagë, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po vijon kontrollet intensive për kapjen e tij, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që tronditi zonën e Mamurrasit.
