
Reagim ndaj akuzave për korrupsion dhe keqmenaxhim, protestat do të zhvillohen gjatë gjithë javës nga subjekte të ndryshme politike
Partitë opozitare kanë paralajmëruar një seri protestash të njëpasnjëshme kundër qeverisë, duke e kthyer javën e ardhshme në një kalendar të ngjeshur reagimesh në rrugë. Nismat vijnë në kuadër të akuzave të ngritura ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe dyshimeve për afera korruptive në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas njoftimeve zyrtare, protestat do të organizohen nga subjekte të ndryshme opozitare, secila në ditë të veçanta, duke shënuar një mobilizim të gjerë politik kundër qeverisë.
Kalendari i protestave të shpallura deri më tani parashikon që :
Të enjten protesta të zhvillohet nga “Lëvizja Bashkë”;
Të premten nga “Partia Mundësia”;
Të shtunën nga “Shqipëria Bëhet”;
Të hënën pritet që në rrugë të dalë “Partia Demokratike”.
Organizatorët kanë deklaruar se qëllimi i këtyre protestave është denoncimi i keqmenaxhimit dhe korrupsionit në institucionet publike, si dhe rritja e presionit publik ndaj qeverisë për transparencë dhe përgjegjësi politike.
Opozita ka bërë të ditur se protestat do të jenë paqësore, por paralajmëron se reagimi do të vijojë edhe në forma të tjera nëse akuzat dhe shqetësimet e ngritura nuk marrin përgjigje.
