
Largimi i tij vjen pas një periudhe të tensionuar në krye të FBI, të shënuar nga përplasje institucionale dhe kritika të forta
Zëvendësdrejtori i FBI, Dan Bongino, ka bërë të ditur se do të largohet nga detyra në muajin janar, duke i dhënë fund një mandati të shkurtër dhe të shoqëruar me debate në krye të byrosë federale amerikane. Lajmi u konfirmua të mërkurën nga vetë Bongino përmes një postimi në rrjetet sociale.
Njoftimi erdhi vetëm pak orë pasi presidenti Donald Tramp deklaroi publikisht se Bongino dëshironte të rikthehej në emisionin e tij mediatik, të cilin e drejtonte përpara se të emërohej në një nga postet më të larta të FBI. Tramp u shpreh se Bongino kishte bërë një punë të mirë gjatë qëndrimit në këtë funksion.
Dan Bongino, ish-oficer i policisë së Nju Jorkut, ish-anëtar i Shërbimit Sekret dhe figurë e njohur e mediave konservatore, u konsiderua një zgjedhje e pazakontë për postin e dytë më të lartë në FBI. Tradicionalisht, kjo detyrë është mbajtur nga agjentë karriere që kanë avancuar brenda strukturave të byrosë. Emërimi i tij u kundërshtua edhe nga Shoqata e Agjentëve të FBI, pavarësisht garancive të mëparshme se posti do t’i jepej një profesionisti të brendshëm.
Në reagimin e tij, Bongino falënderoi presidentin Tramp, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe drejtorin e FBI Kash Patel për mundësinë për të shërbyer. Burime të cituara nga Reuters bëjnë me dije se largimi i tij ishte i pritshëm prej muajsh dhe se zyra e tij në selinë e FBI ishte pothuajse bosh.
Gjatë kohës si podkaster, Bongino kishte promovuar teori të shumta konspirative, të cilat u kthyen në barrë politike pas marrjes së detyrës në FBI. Ai kishte pretenduar se vendosja e bombave artizanale pranë selive të partive demokrate dhe republikane përpara ngjarjeve të 6 janarit 2021 ishte një operacion i brendshëm i FBI, pretendim nga i cili u tërhoq pas arrestimit të një të dyshuari në fund të vitit 2025.
Mandati i tij u vu seriozisht në pikëpyetje gjatë verës, pas publikimit të një memorandumi të përbashkët nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI, i cili rrëzonte teoritë për një listë klientësh të fshehtë në çështjen Jeffrey Epstein dhe konfirmonte se ai kishte vdekur nga vetëvrasja. Ky qëndrim shkaktoi zemërim te një pjesë e mbështetësve të Trump dhe thelloi përplasjet politike rreth rolit të Bonginos në FBI.
