Të dhënat e Eurostat tregojnë se tkurrja e popullsisë në Shqipëri është disa herë më e lartë se në vendet e tjera kandidate të rajonit
Popullsia e Shqipërisë po përjeton një rënie të fortë dhe të përshpejtuar, duke u tkurrur me ritme shumë më të larta se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, Shqipëria rezulton me normën më të lartë të rënies së popullsisë në rajon.
Në vitin 2025, popullsia zyrtare e vendit ishte 2,363,314 banorë, rreth 27,600 më pak krahasuar me një vit më parë. Në terma relativë, rënia vjetore arriti në minus 1.2 %, një nivel që e vendos Shqipërinë shumë mbi mesataren e rajonit.
Të dhënat krahasuese tregojnë se Bosnjë-Hercegovina ka pasur një rënie prej minus 0.3 %, Maqedonia e Veriut minus 0.2 %, Serbia minus 0.6 % dhe Mali i Zi minus 0.1 %. Mesatarisht, vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor kanë pësuar një tkurrje rreth 0.3 %, ndërsa Shqipëria gati katër herë më shumë.
Sipas ekspertëve, kjo diferencë lidhet drejtpërdrejt me dy fenomene kryesore që po godasin më fort Shqipërinë: emigracionin e vazhdueshëm dhe rënien e ndjeshme të lindshmërisë. Këto dy faktorë po ndikojnë më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit dhe po përkeqësojnë strukturën demografike të vendit.
Në vitet e fundit, rënia e popullsisë është përshpejtuar për shkak të tkurrjes së fortë të grupmoshave të reja, të cilat janë edhe baza kryesore e lindjeve. Emigracioni i lartë, veçanërisht i të rinjve dhe profesionistëve, ka reduktuar ndjeshëm popullsinë aktive nën 30 vjeç.
Shqiptarët largohen kryesisht për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe perspektiva më të qëndrueshme karriere në vendet e Bashkimit Europian. Kjo prirje është intensifikuar pas hapjes së tregjeve europiane të punës dhe skemave të rekrutimit, veçanërisht nga vende si Gjermania, që kanë nevojë të lartë për fuqi punëtore.
Të dhënat e brendshme tregojnë se grupmosha 15–29 vjeç, që përfaqëson bërthamën kryesore të emigracionit, është tkurrur me rreth 45 për qind në periudhën 2011–2025.
Paralelisht, Shqipëria po përjeton nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit. Norma e fertilitetit vlerësohet rreth 1.2 fëmijë për grua, shumë më poshtë nivelit të zëvendësimit dhe ndër më të ulëtat në Europë. Shumë çifte të reja po shtyjnë krijimin e familjes për shkak të pasigurisë ekonomike, kostove të larta të rritjes së fëmijëve dhe emigrimit të njërit prej partnerëve.
Sipas projeksioneve demografike, në dekadën e ardhshme numri i vdekjeve pritet të tejkalojë ndjeshëm numrin e lindjeve, duke krijuar një deficit natyror gjithnjë e më të thellë, nëse nuk merren masa konkrete për të frenuar këtë prirje.

