
Mirlinda Karçanaj mbërrin e shoqëruar nga policia; nuk komenton para mediave
Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, ka mbërritur këtë të enjte në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar ndaj saj nga SPAK.
Karçanaj është paraqitur në GJKKO e shoqëruar nga efektivë policie dhe ka udhëtuar me automjet policor. Ajo ishte në shoqërinë e avokatit të saj mbrojtës, por nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat e pranishme. Edhe avokati i saj u shpreh shkurt se në këto momente nuk ka asnjë koment për çështjen.
Gazetarët e pyetën Karçanajn lidhur me hetimet dhe akuzat që lidhen edhe me çështjen e rrëmbimit të biznesmenit Gerond Meçe, por drejtuesja e AKSHI-t zgjodhi të mos reagojë.
Sipas SPAK, Mirlinda Karçanaj akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”.
Seanca në GJKKO pritet të shqyrtojë ligjshmërinë dhe vazhdimësinë e masës së sigurisë, ndërsa hetimet ndaj drejtueses së AKSHI-t vijojnë nga Prokuroria e Posaçme.
