
Kristin Cabot pranon një vendim të gabuar dhe pasojat personale e profesionale që pasuan
Kristin Cabot, ish-drejtuese e burimeve njerëzore në kompaninë Astronomer, ka folur për herë të parë publikisht pas episodit që u bë viral gjatë një koncerti të Coldplay në korrik, ku ajo u shfaq në ekranin e sallës pranë shefit të saj, Andy Byron. Pamjet, të cilat u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, patën ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e saj personale dhe karrierën profesionale.
Në intervistën e fundit për mediat amerikane, Cabot e cilësoi sjelljen e saj si një vendim të gabuar, duke pranuar se momenti i papërshtatshëm në publik i kushtoi vendin e punës dhe e ekspozoi ndaj kritikave, sulmeve online dhe presionit të vazhdueshëm. Ajo theksoi se ka marrë përgjegjësinë për veprimet e saj dhe se çmimi që pagoi ishte largimi nga karriera që kishte ndërtuar prej vitesh.
Cabot sqaroi se në atë periudhë ndodhej në proces ndarjeje nga bashkëshorti i saj, i cili ndodhej në të njëjtin koncert, ndërsa mohoi se kishte një lidhje të vazhdueshme intime me ish-drejtuesin e kompanisë. Sipas saj, episodi në koncert ishte i vetmi dhe u pasua menjëherë nga pasoja të rënda, përfshirë dorëheqjen e Andy Byron dhe largimin e saj nga posti drejtues.
Ajo tregoi se pas videos virale u përball me ofendime, kërcënime dhe ekspozim të tepruar publik, situatë që ndikoi edhe te fëmijët e saj. Cabot shprehu dëshirën që historia e saj të shërbejë si shembull për të kuptuar se gabimet personale nuk duhet të shndërrohen në dënime publike pa kufij.
Sot, ajo thotë se po përpiqet të rindërtojë jetën larg vëmendjes mediatike, duke kërkuar më shumë mirëkuptim dhe maturi në mënyrën se si trajtohen raste të tilla në opinionin publik.
