

Reagime të fuqishme ndërkombëtare kanë pasuar sulmet izraelite ndaj një delegacioni të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha. Nga vendet arabe deri tek fuqitë perëndimore, dënimet e ashpra dhe thirrjet për vetëpërmbajtje kanë qenë të njëzëshme.
Pakistani dhe Maroku në krah të Katarit
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, e cilësoi sulmin si një akt agresioni të pajustifikueshëm, duke theksuar se përbën shkelje flagrante të sovranitetit dhe një provokim të rrezikshëm për paqen rajonale. Ai shprehu solidaritet të plotë me Katarin dhe popullin palestinez.
Edhe Maroku, i cili ruan marrëdhënie diplomatike formale me Izraelin, reagoi përmes Ministrisë së Jashtme duke dënuar sulmin dhe duke ofruar mbështetje të plotë për Katarin.
Siria: Agresion që shpërfill ligjin ndërkombëtar!
Ministria e Jashtme e Sirisë e quajti agresionin izraelit një akt të papranueshëm që tregon shpërfilljen e hapur të Izraelit për ligjet dhe normat ndërkombëtare. Në deklaratë u ritheksua solidariteti me udhëheqjen dhe popullin e Katarit.
Franca dhe Britania
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e dënoi fuqishëm sulmin, duke e cilësuar të papranueshëm dhe duke kërkuar që lufta të mos përhapet në rajon. “Shpreh solidaritetin tim me Katarin dhe emirin Sheikh Tamim Al Thani,”- deklaroi Macron.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, paralajmëroi se sulmi rrezikon përshkallëzim të mëtejshëm. Ai theksoi se prioritet duhet të jetë armëpushim i menjëhershëm, lirimi i pengjeve dhe rritja e ndihmës për Gazën.
Mauritania dhe Kazakistani
Mauritania e cilësoi veprimin si shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare, duke i bërë thirrje komunitetit global të veprojë me ashpërsi ndaj agresionit izraelit.
Kazakistani, nga ana e tij, e quajti sulmin të papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.