
Presidenti amerikan prezanton një event katërditor për nxënësit më të talentuar të shkollave të mesme, pjesë e festimeve madhore të 4 korrikut 2026
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka prezantuar një tjetër aktivitet madhor që do të zhvillohet në kuadër të 250-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë amerikane, që do të festohet më 4 korrik 2026. Eventi i ri, i quajtur Patriot Games, pritet të jetë një garë sportive katërditore, e para e këtij lloji, me pjesëmarrjen e sportistëve më të mirë të shkollave të mesme nga e gjithë Amerika.
Sipas njoftimit të bërë nga vetë Tramp përmes një videoje, çdo shtet dhe territor do të përfaqësohet nga dy të rinj, një djalë dhe një vajzë, të përzgjedhur mes atletëve më të spikatur të nivelit parauniversitar. Presidenti theksoi se gara do të respektojë ndarjen tradicionale gjinore në sport, duke deklaruar se nuk do të ketë meshkuj që konkurrojnë në kategori femrash.
Patriot Games është vetëm një pjesë e një serie aktivitetesh që administrata Tramp ka paralajmëruar për përvjetorin e madh. Mes tyre përfshihen edhe një event i mundshëm i UFC-së në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, krijimi i një Kopshti Kombëtar të Heronjve dhe një Panair i Madh Amerikan në National Mall, ku do të përfaqësohen të 50 shtetet me pavijonet e tyre, nga fundi i qershorit deri në mesin e korrikut 2026.
Organizimi i festimeve do të koordinohet nga Freedom 250, një organizatë jopartiake, në bashkëpunim me National Park Foundation. Kjo organizatë ka hapur edhe një kanal në YouTube, ku videoja e presidentit Tramp shërben si publikimi i parë zyrtar.
Ndërkohë, disa nga aktivitetet e paralajmëruara kanë ngjallur reagime dhe krahasime ironike në publik, veçanërisht ideja e një ndeshjeje UFC në Shtëpinë e Bardhë. Ende mbetet e paqartë se si do të përzgjidhen konkretisht pjesëmarrësit e Patriot Games dhe cilat disiplina sportive do të përfshihen në këtë garë kombëtare.
