
Lënda plasëse u hodh gjatë natës në Tiranë, policia thotë se ka vetëm dëme materiale dhe ka nisur hetimet për autorët
Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur orët e para të mëngjesit të sotëm zonën e Selitës së Vogël në Tiranë, ku është dëmtuar automjeti i një 39-vjeçari i parkuar brenda oborrit të banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 dhe, fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se një sasi eksplozivi është vendosur në automjetin e shtetasit D. J., 39 vjeç, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Burime bëjnë me dije se automjeti i përket Dritan Janos.
Menjëherë pas shpërthimit, shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje, ku po kryhen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e autorit ose autorëve të përfshirë në këtë ngjarje.
Autoritetet po analizojnë provat e gjetura në terren, ndërsa hetimet vijojnë për të hedhur dritë mbi motivet e sulmit dhe personat përgjegjës.
