
Vendimi për masat disiplinore pritet vetëm një orë para mbledhjes së Këshillit të Mandateve që shqyrton kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për masa disiplinore ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike, pas tensioneve të fundit të krijuara në seancat parlamentare.
Mbledhja e Sekretariatit të Etikës është parashikuar të zhvillohet rreth një orë përpara mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në përbërje të Këshillit të Mandateve janë edhe pesë deputetë të Partisë Demokratike, ndaj të cilëve është kërkuar masë disiplinore. Bëhet fjalë për Elda Hotin, Gazment Bardhin, Gent Strazimirin, Oerd Bylykbashin dhe Saimir Korreshin.
Në rast se ndaj tyre merret vendim ndëshkimor, këta deputetë nuk do të mund të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për imunitetin e ministres Balluku.
Situata ka rritur tensionet politike në Kuvend, ndërsa opozita e konsideron këtë lëvizje si tentativë për të ndikuar në një proces të rëndësishëm parlamentar dhe për të kufizuar pjesëmarrjen e saj në vendimmarrje.
