
Zjarri dyshohet se nisi nga një peshqir mbi gurët e nxehtë, alarmi rezulton të ketë qenë jashtë funksionit prej vitesh
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tokion, ku një çift bashkëshortësh humbi jetën pasi u bllokua brenda një sauna private që u përfshi nga flakët. Viktimat janë identifikuar si Yoko Matsuda, 37 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Masanari Matsuda, 36 vjeç.
Shërbimet emergjente u njoftuan rreth orës 12:25 të mesditës së së hënës, pasi alarmi i zjarrit në ambientin e quajtur Sauna Tiger ishte aktivizuar. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, gjetën dorezën e derës së saunës të shkëputur dhe të rënë në dysheme.
Çifti u gjet i shtrirë në dysheme, mbi njëri-tjetrin, me kokat pranë derës, duke sugjeruar përpjekje të dëshpëruara për t’u larguar nga ambienti. Ata u transportuan me urgjencë në spital, por më vonë ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sipas policisë, burri kishte pësuar djegie në pjesë të mëdha të trupit, ndërsa gruaja kishte djegie në shpatullën e djathtë. Autopsia nuk ka dhënë ende një përfundim të qartë për shkakun e vdekjes, por dyshohet se ata kanë humbur jetën si pasojë e djegieve ose temperaturave ekstreme.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një peshqir i djegur që kishte rënë mbi gurët e nxehtë të saunës, duke përhapur flakët drejt bankinave dhe mureve. Një element veçanërisht shqetësues është fakti se sistemi i alarmit të emergjencës rezulton të ketë qenë i çaktivizuar prej rreth dy vitesh.
Sipas autoriteteve, mbulesa e alarmit ishte hequr, çka lë të kuptohet se viktimat kanë tentuar ta aktivizojnë atë për ndihmë. Stafi i objektit ka deklaruar se pajisja ishte jashtë funksionit që prej vitit 2023.
Qendra e Shëndetit Publik në Minato konfirmoi se sauna ishte në funksion që nga korriku 2022 dhe kontrolli i fundit teknik ishte kryer në prill 2023, pa u konstatuar mangësi serioze në pajisje.
Në një deklaratë zyrtare, Sauna Tiger shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke theksuar se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe se aktiviteti i saj është pezulluar përkohësisht. Objekti ka njoftuar gjithashtu se do të rimbursojë klientët me rezervime aktive.
Ngjarja ka rihapur debatin në Japoni për sigurinë në ambientet e saunave, përdorimi i të cilave është rritur ndjeshëm pas pandemisë, bashkë me shqetësimet për mungesë kontrollesh dhe rregullash më të rrepta në këtë sektor.
