
Zv.kryeministrja nuk merr pjesë në Këshillin e Mandateve, ndërsa në Kuvend shqyrtohet kërkesa për imunitetin e saj
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Ministrave e thirrur nga kryeministri Edi Rama, por zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të qëndrojë në ambientet e Kryeministrisë, së bashku me kreun e qeverisë.
Sipas informacioneve, Balluku nuk ka preferuar të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e cila nisi sot në orën 10:30 dhe ka në fokus shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të saj. Zv.kryeministrja është rikthyer në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa SPAK ka vijuar procedurat duke kërkuar masa sigurie ndaj saj.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve janë të pranishëm tre prokurorë të SPAK, mes tyre drejtuesi i ri i institucionit Klodian Braho, si dhe Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.
Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme hap rrugën për vendosjen e masave të rënda të sigurisë, përfshirë arrest në burg ose arrest shtëpie, duke e kthyer këtë ditë në një moment kyç për zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
