
Shtetet anëtare bien dakord për një hua të përbashkët për vitet 2026–2027, mes kundërshtive të forta dhe tensioneve politike në Bruksel
Bashkimi Europian ka arritur një marrëveshje gjatë samitit të zhvilluar në Bruksel për të vënë në dispozicion 90 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën në dy vitet e ardhshme, pas dështimit për të gjetur konsensus mbi përdorimin e pasurive ruse të ngrira.
Pas orësh të gjata negociatash, 27 vendet anëtare ranë dakord të financojnë ndihmën për Kievin përmes një huaje të përbashkët me interes zero, të mbuluar nga buxheti i Bashkimit Europian. Kjo zgjidhje u konsiderua si alternativa e vetme e mundshme, pasi nuk u arrit marrëveshje për konfiskimin ose përdorimin e aseteve ruse të ngrira në Europë.
Vendimi vjen në një moment kritik për Ukrainën, e cila rrezikonte të mbetej pa fonde që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. BE ishte zotuar që në muajin tetor të garantonte pjesën kryesore të mbështetjes financiare dhe ushtarake për vitet 2026 dhe 2027, veçanërisht pas vendimit të administratës amerikane të drejtuar nga Donald Trump për të ndërprerë ndihmën për Kievin.
Sipas mediave europiane, dështimi për përdorimin e pasurive ruse lidhet kryesisht me kundërshtimin e Belgjikës, ku ndodhet pjesa më e madhe e këtyre aseteve, rreth 210 miliardë euro. Kryeministri belg kishte kërkuar garanci të gjera për të shmangur rrezikun e hakmarrjes nga Rusia apo detyrimin për rimbursime të mundshme në të ardhmen.
Një kompromis i mundshëm u rrëzua gjithashtu për shkak të qëndrimit të Francës dhe Italisë, të cilat, sipas burimeve diplomatike, refuzuan të kontribuonin financiarisht në mekanizmat e sigurisë të kërkuar nga Belgjika.
Megjithatë, përdorimi i pasurive ruse nuk është përjashtuar plotësisht. BE parashikon që Ukraina të shlyejë huanë në të ardhmen përmes reparacioneve të luftës nga Rusia. Në rast se Moska refuzon të paguajë, vendet anëtare rezervojnë të drejtën të përdorin asetet ruse të ngrira për të mbuluar detyrimin financiar.
Vendimi është pritur si një zgjidhje e domosdoshme, por jo ideale, nga aleatët më të fortë të Ukrainës, të cilët e shohin garantimin e financimit si prioritet absolut për mbijetesën ekonomike dhe institucionale të vendit në kushtet e luftës së vazhdueshme.
