
Opozita kërkon transparencë dhe akses në prova, mazhoranca dhe prokurorët këmbëngulin te sekreti hetimor
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit po shqyrton sot kërkesën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku. Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa anëtarët e këshillit pritet të diskutojnë kërkesën pa pasur në dispozicion të gjitha provat e SPAK, të cilat konsiderohen sekret hetimor.
Avokati i zv/kryeministres, Ardian Kalija, ka kërkuar gjatë mbledhjes që të njihet me provat e dorëzuara nga SPAK në Kuvend bashkë me kërkesën për autorizimin e arrestimit. Sipas burimeve, në mbledhjen që ka nisur prej disa orësh, kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, së bashku me prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, kanë lexuar kërkesën e tyre dhe akuzat përkatëse.
Diskutimet mes palëve vijojnë, ndërsa përplasjet politike janë përqendruar te mënyra se si duhet të zhvillohet procesi. Partia Demokratike ka kërkuar që mbledhja të jetë e hapur deri në momentin kur prokurorët e SPAK të japin informacion që konsiderohet sekret hetimor, por kjo kërkesë nuk është pranuar as nga Niko Peleshi dhe as nga prokurorët e SPAK, të cilët kanë insistuar që i gjithë procesi të zhvillohet i mbyllur, përfshirë edhe seancën plenare.
Kryetari i Kuvendit u ka kërkuar prokurorëve të propozojnë një mënyrë që deputetët të kenë akses në informacionin konfidencial, por deri më tani SPAK nuk ka nisur ende relatimin e provave. Opozita, përmes përfaqësuesve të saj, ka kërkuar që mbledhja të jetë e hapur për median dhe publikun, të marrin pjesë të gjithë deputetët dhe provat të vihen në dispozicion të Kuvendit.
Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës kanë argumentuar se mbledhja duhet të jetë e mbyllur për të ruajtur sekretin hetimor dhe se në sallë duhet të jenë vetëm anëtarët e Këshillit të Mandateve. Ndërkohë, kanë dalë edhe pamje nga mbledhja e zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, ku shihen debate mes opozitës dhe mazhorancës, si dhe momente diskutimi mes prokurorëve të çështjes dhe kreut të ri të SPAK.
Procesi pritet të vijojë me tensione politike dhe debate mbi transparencën, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit për kërkesën e SPAK konsiderohet një nga momentet më të ndjeshme të kësaj legjislature.
