

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim 39-vjeçarin Barush (Bajram) Bregu, i dyshuar si bashkëpunëtor i Ragip Gilës në masakrën e ndodhur së fundmi në Shkodër. Ai akuzohet për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, “mbajtje pa leje të armëve” dhe “vjedhje”.
Sipas hetimeve, Bregu konsiderohet kontingjent kriminal dhe krahu i djathtë i grupit të “Liçëve”. Ai kërkohet bashkë me një 17-vjeçar, i dyshuar gjithashtu për atentatin me dy viktima e dy të plagosur.
Gjatë një kontrolli në një banesë që Bregu dhe bashkëpunëtori i tij përdornin si bazë, policia gjeti një arsenal armësh: një automatik, gjashtë pistoleta, municion luftarak, një makinë tip “Audi” me targa të vjedhura dhe pesë dronë për survejim.
Autoritetet dyshojnë se Bregu ka ndihmuar Ibrahim Liçin në vrasjen e vëllezërve Bilali dhe në ngjarje të tjera kriminale. Ai është një emër i njohur për policinë: në vitin 2016 u dënua me 4 vite burg për kultivim narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje; në 2018 iu gjet një kallashnikov në banesë dhe gjatë një ndjekjeje arriti t’i shpëtonte policisë pasi përplasi dy patrulla.
Në vitin 2019 u arrestua në Tiranë, por vijon të dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale në Shkodër.