
Palët bien dakord për aksesin në materialet e SPAK, përplasje për afatet dhe zhvillimin e mbledhjes së radhës
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka vendosur që anëtarët e tij të marrin me vete USB-në që përmban provat për dosjen Balluku. Vendimi është marrë pas diskutimeve dhe debateve mes palëve lidhur me mënyrën e administrimit të materialeve hetimore të dorëzuara nga SPAK.
Fillimisht, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kishte qëndrimin se dokumentacioni nuk duhet të dilte nga mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe se provat duhej të shqyrtoheshin vetëm gjatë seancës. Megjithatë, pas diskutimeve, palët janë dakordësuar që deputetët ta marrin USB-në me vete, duke respektuar procedurat ligjore.
Prokurorët e SPAK kanë sqaruar se materiali i USB-së mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe se është dhënë dakordësia që edhe avokati i Belinda Ballukut të njihet me provat. Dosja e përgatitur nga SPAK për kërkesën e heqjes së imunitetit të deputetes përmban rreth 10 mijë faqe.
Për shkak të volumit të madh të materialit, avokati i Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me dosjen, ndërsa SPAK ka insistuar se një afat prej pesë ditësh është i mjaftueshëm. Partia Socialiste është shprehur në linjë me kërkesën e avokatit dhe ka propozuar shtyrjen e mbledhjes së radhës për në datën 19 janar. Ky propozim është kundërshtuar nga Partia Demokratike, e cila kërkon që mbledhja të zhvillohet që të hënën.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat Gent Strazimiri ka ngritur shqetësime për zvarritjen e procesit, duke theksuar se sipas tij Balluku nuk po bashkëpunon me drejtësinë dhe se ekziston rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët. Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Dritan Prençi, dhe prokurorja Dorina Bejko kanë theksuar se afati i arsyeshëm për njohjen me provat duhet të jetë nga tre deri në pesë ditë, për të shmangur vonesat në hetim.
Në relacionin zyrtar të dërguar Kuvendit, SPAK ka argumentuar nevojën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke pretenduar se ajo ka ndërhyrë në manipulimin e 12 procedurave tenderuese. Prokuroria vlerëson se, për shkak të pozitës dhe profilit të saj publik, ekziston rreziku që të kryhen veprime të tjera penale nëse procesi zvarritet.
Vendimi përfundimtar për datën e mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit mbetet ende i hapur, ndërsa përplasjet politike dhe institucionale rreth dosjes Balluku vijojnë.
