
Deputetët do të pajisen me kopje të USB-së, diskutimet u përqendruan vetëm te procedura
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit lidhur me çështjen e deputetes Belinda Balluku. Në përfundim të seancës, anëtarët e Këshillit sqaruan se diskutimet e zhvilluara nuk kanë prekur asnjë element që përbën sekret hetimor, por janë fokusuar vetëm në aspektet procedurale të procesit.
Deputeti Bardhi deklaroi se opozita ka kërkuar që mbledhja të ishte transparente dhe se gjatë saj nuk është trajtuar përmbajtja e provave, por vetëm mënyra e administrimit të tyre. Sipas tij, çdo deputet anëtar i Këshillit të Mandateve do të pajiset me nga një kopje të USB-së që përmban materialet e dorëzuara nga SPAK.
U theksua se aksesi në materialet hetimore do të bëhet në përputhje me rregullat ligjore dhe procedurat e parashikuara, ndërsa qëllimi i mbledhjes ka qenë garantimi i një procesi korrekt dhe transparent për të gjitha palët.
Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të përcaktohet data e mbledhjes së radhës, ku Këshilli i Mandateve do të vijojë shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
